12:59 / E Hënë, 06 Prill 2020 / indeksADMonline

Kurti: Mëngjesi i sotëm na doli më i hidhuri që nga 13 e 22 marsi, tani jemi në mes të betejës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është deklaruar pas lajmit për vdekjen e dy qytetarëve të Kosovës nga virusi COVID-19.

Kurtit ha se mëngjesi i sotëm doli më i hidhuri që nga 13 marsi dhe 22 marsi, ditët kur u shënua rasti i parë i infektimit dhe rasti i parë fatal si pasojë e COVID-19.

Kurti tha se tani i kemi tre të vdekur gjithsej dhe se nuk ka mbaruar asgjë. Madje ai shtoi se jemi në mes të betejës dhe më shumë se kurrë nevojitet vendosmëria e çdo qytetari, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Në ora 3:00, virusi Corona i shkaktoi vdekjen S.N., burrë, nga Prishtina, kurse, në ora 7:10, N.R., grua, nga Prizreni, gjithashtu, ndërroi jetë.

Mëngjesi i sotëm na doli më i hidhuri që nga 13 marsi dhe 22 marsi, ditët kur u shënua rasti i parë i infektimit dhe rasti i parë fatal si pasojë e COVID-19. Tani i kemi tre të vdekur gjithsej. Pra, nuk ka mbaruar asgjë. Në fakt, jemi në mes të betejës. Më shumë se kurrë na nevojitet vendosmëria e secilit qytetar.

Prandaj:

Qëndroni të pastër.

Qëndroni në distancë.

Qëndroni në shtëpi.

Vetëm kaq na duhet që të fitojmë. Më lehtë e më thjesht nuk ka qenë asnjëherë. Me pak disiplinë do t’ia dalim. I kemi 23 të shëruar e 145 raste të konfirmuara. E, nga profesionistët mësojmë se është pritur që numri i të prekurve me virusin të jetë shumë më i madh. Mirëpo, kjo nuk duhet të na relaksojë. Përkundrazi. Po hyjmë në javët kritike të virusit, dhe, ta bëjmë këtë për veten tonë, për më të dashurit tanë e, mbi të gjitha, për heronjtë në vijën e parë të frontit. Duhet ta vonojmë në kohë dhe ulim në përmasë sa më shumë ngritjen e lakores së shpërndarjes së COVID-19.

Prandaj, sërish:

Qëndroni të pastër.

Qëndroni në distancë.

Qëndroni në shtëpi.