75 Mall Live Search
20:27 / E Enjte, 14 Nëntor 2024 / Z S

Kurti mirëpret deputetë të Mbretërisë së Bashkuar, anëtarë të grupit “Miqtë Laburistë të Kosovës”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot deputetët laburistë, Emma Leëell Buck, Paul Foster, Fabian Hamilton, David Taylor, të cilët janë anëtarë të grupit Miqtë Laburistë të Kosovës (Labour Friends of Kosova), dhe Reg Pula, Drejtor Ekzekutiv i grupit Miqtë Laburistë të Kosovës.

Kurti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj mbështetjes së palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar – jo vetëm për pavarësinë tonë, por edhe për zhvillimin e vazhdueshëm të vendit dhe fuqizimin e pozitës ndërkombëtare.

‘’Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar ndajnë vlera themelore të përbashkëta: përkushtim ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut, paqes edhe sigurisë në rajon’’ u shpreh Kurti gjatë takimit.

Kurti theksoi rolin e rëndësishëm që Partia Laburiste ka luajtur në momente kritike për popullin dhe shtetin e Kosovës, në çlirimin e vendit në 1999 ashtu edhe në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.

Deputetët laburistë theksuan se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë të lidhura bashkë përmes miqësisë e partneritetit por edhe diasporës tonë atje.

Në takim u diskutua edhe për raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit me qeverinë e re laburiste./Indeksonline/