75 Mall Live Search
12:40 / E Hënë, 15 Korrik 2024 / S Z

Kurti mirëpret drejtoren e re të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti drejtoren e re të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.

Së bashku me mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti e uroi znj. Vashchenko për detyrën e re dhe i ofroi bashkëpunim të afërt nga ai dhe ministritë e agjencitë e linjës në fushën e rinisë dhe edukimit.

Diskutuan për programet dhe bashkëpunimet aktuale në edukimin gjithëpërfshirës, edukimin në fëmijërinë e hershme dhe punën praktike në kuadër të programit “Kosovo Generation Unlimited”, por edhe për mundësitë për të bërë edhe më shumë, sidomos në promovimin dhe zhvillimin e vullnetarizmin te të rinjtë.

Gjatë takimit, u veçua rëndësia e përpunimit të të dhënave të mbledhura nga regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, u mirëprit votimi i Ligjit për rininë që u miratua javën e kaluar në kuvend dhe u vlerësua përfshirja e rinisë dhe kapitalit njerëzor në Strategjinë kombëtare për zhvillim. 

Ky ishte takimi i parë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe drejtores së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko. Znj. Vashchenko, shtetase e Ukrainës, u emërua në këtë pozitë në qershor të këtij viti.