75 Mall Live Search
22:36 / E Mërkurë, 23 Mars 2022 / AR

Kurti mori pjesë në 20-vjetorin e themelimit të Shoqatës së Kontabilistëve dhe Auditorëve të Kosovës

“Përmes raportimit të mirëfilltë financiar ngritët besimi i qytetarëve te institucionet tona dhe përmirësohet klima e të bërit biznes në Kosovë. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë në tërheqjen  e investimeve të cilat janë shumë të nevojshme për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Kontabilistëve dhe Auditorëve të Kosovës.

Më tej, kryeministri shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes progresit ekonomik dhe social, e që nga përvoja e tij në qeverisje vlerësoi ai, është shumë e qartë se llogaritja, përllogaritja, mbikëqyrja, kontrolli, transparenca janë thelbësore për qeverisjen e mbarë edhe të mirë.

“Tek secili zyrtar, njëri prej të cilëve jam edhe vet, i shtetit tonë të dashur dy gjëra janë thelbësore, integriteti dhe kompetenca. Pra integriteti personal dhe kompetenca profesionale”, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se vetëm pasqyrimi i vërtetë i financave tregon më së miri balancat dhe parandalon mashtrimin dhe përvetësimin.

Me këtë rast, kryeministri ka falënderuar përfaqësuesit nga USAID, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian për ndihmën e tyre në synimin tonë drejt integrimeve globale.

Në fund, duke i uruar 20-vjetorin e themelimit të Shoqatës dhe duke u dëshiruar shumë suksese në të ardhmen, kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës do t’i mbështesë në ngritjen e transparencës financiare dhe në avancimin ligjor të raportimit financiar dhe tatimor.

 Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara Auditore e Përgjithshme, znj. Vlora Spanca,

I nderuari ambasador i Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde,

I nderuari Kryetar i Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, z. Nazmi Pllana,

E nderuara Kryetare në shkuarje e Shoqatës, znj. Shpresa Mustafa,

I nderuar menaxher i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, z. Massimiliano Paolucci,

I nderuar Drejtor i Zyrës për Zhvillim Ekonomik të USAID në Kosovë, z. Joshua Mike,

I nderuar Kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike të Shqipërisë, z. Dritan Fino,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Kam nderin të jem bashkë me ju për të shënuar 20-vjetorin e themelimit të Shoqatës së Kontabilistëve dhe Auditorëve të Kosovës.

Të dashur anëtarë të Shoqatës, profesioni i juaj është shumë i rëndësishëm për ta mbajtur qeverinë të përgjegjshme dhe transparente, por edhe llogaridhënëse para qytetarëve.

Përmes raportimit të mirëfilltë financiar ngritët besimi i qytetarëve te institucionet tona dhe përmirësohet klima e të bërit biznes në Kosovë. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë në tërheqjen  e investimeve të cilat janë shumë të nevojshme për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Ju keni dëshmuar qysh në vitet e para të pasluftës se arritja e standardeve ndërkombëtare dhe integrimi në institucionet ndërkombëtare nuk është i paarritshëm.

Anëtarësimi në Federatën Ndërkombëtare të Profesionit (IFAC), Anëtarësimi në Federatën e Ekspertëve të Kontabilitetit të Mesdheut (FCM) dhe në Federatën Evropiane të Kontabilistëve dhe Auditorëve për ndërmarrje të vogla dhe të mesme (EFAA) dëshmon më së miri punën tuaj të pakursyer.

Falënderojmë gjithashtu miqtë tanë, përfaqësuesit nga USAID, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian që ndihmojnë në synimin tonë drejt integrimeve globale.

Qeveria Kosovës është e përkushtuar të përmirësojë jetën e qytetarëve përmes progresit ekonomik dhe social, e puna juaj profesionale dhe etike bënë që shteti të jetë demokratik dhe funksional.  

Nga përvoja ime në qeverisje është shumë e qartë se llogaritja, përllogaritja, mbikëqyrja, kontrolli, transparenca janë thelbësore për qeverisjen e mbarë  edhe të mirë. Tek secili zyrtar, njëri prej të cilëve jam edhe vet, i shtetit tonë të dashur dy gjëra janë thelbësore, integriteti dhe kompetenca. Pra integriteti personal dhe kompetenca profesionale. E për zyrtarët publikë shpeshherë e di që megjithatë është e vështirë balancimi mes mbajtjes së marrëdhënieve të mira me punëdhënësin dhe detyrës për të kryer punën me integritet e profesionalizëm.

Natyrisht, qëllimi i punës tuaj është jo vetëm balancimi i librave por edhe pasqyrimi i drejtë i gjendjes financiare. Vetëm pasqyrimi i vërtetë i financave tregon më së miri balancat dhe parandalon mashtrimin dhe përvetësimin.

Qeveria e Kosovës ju inkurajon në këtë rrugë dhe do të ju mbështesë në ngritjen e transparencës financiare dhe në avancimin ligjor të raportimit financiar dhe tatimor.

Edhe një herë ju uroj 20-vjetorin e themelimit të Shoqatës dhe ju dëshiroj shumë suksese në të ardhmen.

Ju falemnderit.