11:52 / E Enjte, 27 Janar 2022 / AR

Kurti mori pjesë në tryezën e rrumbullakët për Programin e banimit adekuat social për Kosovë

Banimi social është infrastrukturë kritike për të ngritur mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve, për barazi sociale e për të fuqizuar e zhvilluar komunitetet, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të tryezës së rrumbullakët për Programin e banimit adekuat social për Kosovë.

Funksioni i banimit social shkon përtej strehimit të njerëzve në nevojë, sigurimit të banimit të përballueshëm për komunitetet me të ardhura më të ulëta dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre të përgjithshme, tha kryeministri.

Ai theksoi se kur projektohet në përputhje me principet e ekonomisë qarkore, duke integruar elementet sociale dhe ato ekologjike, banimi social ofron mundësi për zhvillimin e komuniteteve të reja e të qëndrueshme, mundësi për inovacion social, zhvillimin e bizneseve lokale dhe promovimin e praktikave qarkore, si të prodhimit, ashtu edhe të konsumit.

Është detyrë e jona që në një të ardhme të afërt të krijojmë mundësi për çdo qytetar që ka nevojë, të ketë qasje në shtëpi të sigurt e me cilësi të mirë, me kushtet për jetë të dinjitetshme, zhvillim personal e profesional. Përtej sigurimit të infrastrukturës fizike, programi i banimit do të përcaktojë edhe rrugën tonë të përbashkët drejt qëndrueshmërisë shoqërore, ekonomike dhe mjedisore, tha kryeministri Kurti.

Qeveria është duke punuar në këtë drejtim dhe programi i banimit social parashihet edhe në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025. Kryeministri theksoi se brenda mandatit, ne synojmë të krijojmë programin për banim social, si dhe të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje. Kjo do të arrihet përmes skemës “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120, përkatësisht 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, mirëpo kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit, i cili do të themelohet dhe ngarkohet me zbatimin e projektit.

Në këtë tryezë u prezantua dhe diskutua Koncept propozimi për Programin e Banimit Adekuat Social për Kosovë, që do të kontribuojë në lëvizjen drejt zbatimit të reformave të nevojshme për zhvillimin e sektorit të banimit, formulimin e politikave dhe ofrimin e banimit social për qytetarët që kanë nevojë për mbështetje.

Ky koncept propozim u diskutua nga përfaqësuesit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Kuvendi i Kosovës, UN Habitat-it dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB).

Tryeza e rrumbullakët u organizua nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, në partneritet me UN Habitat-in Kosovë dhe mbështetur nga CEB. 

Fjala e Kryeministrit Kurti:


I nderuar Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z.Aliu,

I nderuar Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Krasniqi,

E nderuara Kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, znj.Pacolli

I nderuari shef i zyrës dhe kryekëshilltar teknik i UN-Habitat-it në Kosovë, z.Siddique,

I nderuar udhëheqës i programit nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës, z. Cosuleanu,

I nderuar staf i UN-Habitat-it në Kosovë dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës,

Të nderuar zëvendësministra, deputetë, përfaqësues të institucioneve,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,


Banimi social është infrastrukturë kritike për të ngritur mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve, për barazi sociale e për të fuqizuar e zhvilluar komunitetet. Funksioni i banimit social shkon përtej strehimit të njerëzve në nevojë, sigurimit të banimit të përballueshëm për komunitetet me të ardhura më të ulëta dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre të përgjithshme. Banimi social kur projektohet në përputhje me principet e ekonomisë qarkore, duke integruar elementet sociale dhe ato ekologjike, ofron mundësi për zhvillimin e komuniteteve të reja e të qëndrueshme,
mundësi për inovacion social, zhvillimin e bizneseve lokale dhe promovimin e praktikave qarkore, si të prodhimit, ashtu edhe të konsumit.


Viteve të fundit në Kosovë janë ndërtuar shumë komplekse banesore private dhe një përqindje e madhe e tyre kanë mbetur të pashfrytëzueshme. Ne kemi shumë banesa të ndërtuara dhe njëkohësisht edhe shumë familje në nevojë për strehim. Banesat private janë të papërballueshme për një përqindje të lartë të popullsisë, ndërsa vetëm 0.3% e banesave ekzistuese janë banesa sociale.


Sipas statistikave, kërkesat për banim social shkojnë në mbi 9.000 njësi banesore shtesë, të cilat aktualisht as niveli qendror e as niveli lokal nuk i ka në dispozicion. Ndërtesat dhe infrastruktura e ndërtuar ndër vite nuk kanë adresuar siç duhet nevojat e shoqërisë.


Disa nga qytetet tona janë shndërruar në zona thellësisht të segreguara në baza socio-ekonomike, kulturore dhe etnike. Familjet me të ardhura më të mira jetojnë në lagje të zhvilluara e të mbyllura, të ndarë nga familjet me të ardhura të ulëta.

Programet komunale të banimit kanë kontribuar në promovimin e këtij segregimi social. Këto programe nuk kanë arritur të trajtojnë kërkesat gjithnjë në rritje për banim social dhe ta shpërndajnë në mënyrë të drejtë e meritore fondin banesor publik. Ato po ashtu kanë dështuar të ofrojnë banimin social të dinjitetshëm edhe për ato pak familje, të cilat janë pjesë të programit.


Në njësitë ekzistuese banesore duhet të intervenohet, që të përmirësohen kushtet e banimit, të revitalizohen dhe të kthehen në zona, jo vetëm të banueshme, por zona që ofrojnë zhvillim personal dhe profesional të banorëve, ashtu që të destigmatizohen dhe degetoizohen.

Këto programe komunale të banimit nuk e kanë konsideruar as shkallën e as natyrën e krizës dhe madje as nevojën për veprim urgjent. Për këtë, nevojitet qasje e re ndaj banimit social dhe për zhvillimin e qëndrueshëm urban.


Qeveria është duke punuar në këtë drejtim dhe programin e banimit social e kemi përfshirë në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025. Brenda mandatit, ne synojmë të krijojmë programin për banim social, si dhe të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje. Kjo do të arrihet përmes skemës “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120, përkatësisht 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, mirëpo kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit, i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit.


Për të realizuar këtë zotim tonin do të angazhohemi intensivisht. Ky nuk është takimi i parë ku ne diskutojmë për programin e banimit social. Ne kemi organizuar disa takime me Komitetin Këshillues të Projektit, për të diskutuar rreth studimit të fizibilitetit për Programin e Banimit Social në Kosovë. Ne duhet të kemi strategji kombëtare gjithëpërfshirëse për banimin dhe sot jemi mbledhur, që të diskutojmë rreth hartimit të strategjisë dhe për reformat që duhet të ndërmarrim në sektorin e banimit, në mënyrë që të ndërtojmë një program të banimit i cili iu përgjigjet nevojave të qytetarëve.


Për më tepër, programi i banimit duhet të projektohet në përputhje me principet e ekonomisë qarkore, duke integruar elementet sociale dhe ato ekologjike. Integrimi i principit të ekonomisë qarkore në programin e banimit social, na ofron mundësinë për të përmirësuar qëndrueshmërinë e njësive banesore ekzistuese dhe të atyre që do të ndërtojmë në të ardhmen. Na ndihmon, që të ulim kostot e ndërtimit dhe kostot operacionale dhe mundëson shfrytëzimin efikas të tokës publike.  Banimi “qarkor” krijon mundësi për zhvillimin e bizneseve lokale, e nxit bashkëpunimin dhe inovacionin social, promovon praktikat qarkore të prodhimit e të konsumit, si dhe na ndihmon ta mbrojmë mjedisin. Duke qenë se sektori i banimit ka ndikim negativ në mjedis, programi ynë i banimit social do të konsiderojë mënyrën se si i projektojmë dhe ndërtojmë njësitë e reja të banimit.

Pra, nevojiten ndërtesa ku zgjidhet çështja e banimit të njerëzve dhe nuk shkaktohen probleme me parkimin e veturave. Ndërtesa që parashohin edhe diversifikimin e burimeve të energjisë edhe efiçiencën në konsumin e energjisë. Dielli dhe ajri, uji dhe kanalizimi, gjelbërimi dhe transporti, e të tjera, të gjitha, pra gjithçka, duhet të kemi parasysh kur planifikojmë, projektojmë, organizojmë e zbatojmë.


Banimi “qarkor” nuk ndërton vetëm banesa, por ndërton komunitete qytetarësh me familje dhe individë të integruar që kujdesen dhe e mbrojnë mjedisin. Kur jetojmë, duhet edhe të banojmë, mirëpo kur punojmë, kjo nuk duhet të jetë vetëm që të mund të banojmë. Andaj, banimi social dhe qarkor është zgjidhja e përbashkët për secilin dhe të gjithë.


Është detyrë e jona që në një të ardhme të afërt të krijojmë mundësi për çdo qytetar që ka nevojë, të ketë qasje në shtëpi të sigurt e me cilësi të mirë, me kushtet për jetë të dinjitetshme, zhvillim personal e profesional. Përtej sigurimit të infrastrukturës fizike, programi i banimit do të përcaktojë edhe rrugën tonë të përbashkët drejt qëndrueshmërisë shoqërore, ekonomike dhe mjedisore.


Ju falemnderit.