75 Mall Live Search
22:09 / E Mërkurë, 09 Nëntor 2022 / AR

Kurti mund të takohet me Vuçiqin në Francë: I kemi dy propozime në tavolinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nesër do të shkojë për në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.

Siç thotë Kurti atje mund të ketë takim trilateral me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton Indeksonline.

Njoftimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria. 

Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë.

Ju falemnderit për mbështetjen e mirupafshim. Ju dëshiroj natë të mirë e ditë të mbara.