Kurti në Amerikë: Bota mund të mësojë nga Kosova si të përballojë krizat pa cenuar stabilitetin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar në Shtetet e Bashkuara qasjen e qeverisë së tij në përballjen me krizat globale.
Në njoftimin e Kryeministrisë bëhet e ditur se Kurti ka folur në diskutimin e organizuar nga Instituti Zolberg, me temën “Mbështetja e qytetarëve të thjeshtë në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”.
Në fjalën e tij, Kurti tha se qeveria u ka dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës në kohë të vështira, “dhe ia ka dalë pa rritur normat e taksave ose pa e rritur borxhin publik”.
“Në një kohë kur ekonomitë e shumë vendeve janë të dëmtuara nga detyrimet ndaj kreditorëve, është jetike që qeveritë të mendojnë jo vetëm se si mund t’i mbështesin më mirë qytetarët e tyre, por edhe si ta bëjnë këtë pa u zhytur në një spirale të rrezikshme rritjeje eksponenciale të borxheve dhe pagesave me interes”, është shprehur ai.
Kurti theksoi se qeveria ka ndërmarrë masa për t’u përballur me inflacionin, duke përmendur miratimin e ligjit për çmimet tavan për produktet bazike, i cili më pas është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues.
“Pjesë e politikave qeverisëse ishin dhe rritja e punësimit, mbështetja e fermerëve, bizneseve prodhuese e veçanërisht atyre të vogla e të mesme, ekonomitë familjare duke subvencionuar energjinë, mbështetje për nënat lehona dhe fëmijët përmes shtesave, programe për incentivimin e punësimit për të rinjtë, bursa për studentët si dhe fushat STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë), arsim publik i lartë falas, rritje të pagës minimale, pagave në sektorin publik dhe pensioneve si dhe mbulim më të lartë nga ana e qeverisë të barnave për pacientët, ndërtimi i shkollave e çerdheve të reja, urave dhe rrugëve rajonale që lidhin fshatrat dhe zonat rurale”, ka thënë më tej Kurti.