Kurti: Në demonstratat e vitit 1981 s’kërkohej veç liria, por edhe barazia kushtetuese

Kandidati për kryeministër nga VV, Albin Kurti, ka kujtuar demonstratat e 11 marsit të vitit 1981, teksa tha që ato ishin pikënisje për të drejtat e shqiptarëve që kërkonin status të Kosovës, shkruan Indeksonline.
Këto fjalë i tha gjatë një aktiviteti për nder të 40-vjetorit të demonstratave.
Po ashtu ai tha se e veçanta e këtyre demonstratave është se studentët nuk kërkonin thjesht liri, por edhe barazi kushtetuese me popujt dhe republikat tjera.
“Sot më 11 mars shënojmë 40-vjetorin e demonstratave të fuqishme studentore, të cilat u bënë edhe gjithë popullore në ballë të së cilave, përveç studentëve, ishin edhe punëtorët. Asokohe, studentët u organizuan nga mensa, konviktet, universiteti për të drejtat e shqiptarëve për Kushtetutën dhe Kosovën në mënyrë që edhe ajo të jetë e barabartë përmes statusit të Republikës.
Demonstratat e vitit 1981, sikurse edhe çdo grup tjetër të demonstratave në historinë e shqiptarëve ndodhet ndërmjet demonstratave të vitit 1968 për universitet dhe demonstratave të vitit 1988- 1989, kundër suprimimit të autonomisë.
Por e veçanta e demonstratave të vitit 1981 është se studentët ishin të organizuar dhe vetëdijesuar si asnjëherë më parë dhe në këtë mënyrë në emër të Kosovës kërkonin jo thjesht liri, por edhe barazi kushtetuese me popujt dhe republikat e tjera”, u shpreh Kurti./Indeksonline/