10:42 / E Shtunë, 11 Nëntor 2023 / Gj. Sh

Kurti në Francë përmend sulmin terrorist në Banjskë: Shumica nga kryesit e këtij akti janë ende të lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ditën e dytë të Forumit të Paqes në Francë gjatë fjalës së tij ka përmendur sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Gjatë fjalimit të tij në kuadër të temës “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, shefi i ekzekutivit ka thënë se grupi terrorist i financuar nga Serbia më 24 shtator ka dashur të shkaktojë përshkallëzim të situatës dhe të krijojë kaos më të madh.

“Më 24 shtator, patëm një lloj sulmi të një grupi terrorist në veri afër një manastiri në Banjskë, ku vdiq një rreshter policor. Ky grup sigurisht që ka dashur të shkaktojë përshkallëzim të një përmase më të madhe, që të krijonin kaos më të madh që ushtria serbe të hynte në Kosovë. Ka 48 baza ushtarake përeth kufijve tanë, gjysma e ushtrisë e gjysma e xhandërmarisë serbe. ShBA-ja tha se kjo është e papranueshme dhe se duhet të tërhiqen të na sjellin te një situatë më paqësore”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se shumica nga kryesit e këtij akti terrorist janë të lirë dhe se vendi duhet të ketë kujdes nga këto grupe që siç thotë ai duan t’i ngjajnë grupit, Wagner.