75 Mall Live Search
17:40 / E Enjte, 18 Dhjetor 2025 / H F

Kurti në hapjen e ekspozitës për xhamitë e shkatërruara në Kosovë dhe Bosnje

Kurti mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Kujtesa në Fotografi: Xhamitë e shkatërruara në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë gjatë viteve ’90 – sakralocid i planifikuar”

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Kujtesa në Fotografi: Xhamitë e shkatërruara në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë gjatë viteve ’90 – sakralocid i planifikuar”.

Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se trashëgimia kulturore përbën themelin e identitetit tonë kolektiv, na lidhë me të kaluarën, forcon vetëdijen për vlerat e përbashkëta dhe na kultivon përgjegjësinë për ruajtjen e kujtesës kolektive për brezat e ardhshëm.

“Gjatë luftës së viteve 1998-1999, krahas mijëra jetë të humbura dhe dëmeve materiale, Kosova ka pësuar dëme të rënda edhe në trashëgiminë e saj kulturore, e cila është shenjëstruar dhe shkatërruar nga forcat e armatosura serbe. Në gjykimet e Tribunalit të Hagës, shkatërrimi i qëllimshëm i trashëgimisë kulturore gjatë kësaj lufte, është cilësuar si krim kundër njerëzimit”, tha ai.

Duke folur për angazhimin e qeverisë, ai tha se në vitin 2021 janë ndërmarrë hapa konkret për të kërkuar drejtësi për shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore. Me këtë rast, përmendi përbërjen e një komision me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, i cili ka dokumentuar zyrtarisht dëmet dhe humbjet, duke i hapur rrugë kërkesës sonë për drejtësi dhe kompensim. Në bazë të këtij raporti gjatë periudhës 1998-1999 janë shkatërruar 1788 monumente të trashëgimisë kulturore, janë grabitur mbi 3724 objekte muzeale nga koleksionet e muzeve publike të Kosovës dhe janë shkatërruar 175 biblioteka publike me mbi 1.7 milion libra. Nga 1788 monumente të shkatërruara, së paku 500 janë kulla të banimit, 218 xhami dhe 11 teqe, 17 kisha të besimit katolik, si dhe Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ai u shpreh se kjo ekspozitë e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe ajo e Bosnjës dhe Hercegovinës ka rëndësi të veçantë, sepse dokumenton në mënyrë të qartë dhe të argumentuar shkatërrimin e trashëgimisë fetare dhe kulturore si pjesë e një strategjie të qëllimshme për fshirjen e identitetit kulturor e fetar të popujve tanë,

Më tej, kryeministri tha se në këtë proces të rëndësishëm dokumentimi Bashkësia Islame e Kosovës ka luajtur një rol të veçantë, duke kontribuar me informacione të vlefshme rreth shkatërrimit të trashëgimisë kulturore islame dhe përgjatë historisë Bashkësia Islame ka dëshmuar se është një shtyllë e rëndësishme për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare, fetare dhe kulturore në vendin tonë.

Në përmbyllje të fjalës ai ka falënderuar të gjithë për angazhimin dhe kontributin e tyre në përgatitjen dhe organizimin e kësaj ekspozite.