Kurti: Në historinë e Evropës nuk ka një rast i vetëm si ai i Jasharëve
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka nisur mbledhjen e sotme të qeverisë, duke nderuar dhe çmuar lart heroizmin e familjes Jashari, në qëndresën stoike që i bëri sulmit të okupatorit serb.
Përpara kabinetit qeveritar, Kurti përçoi mesazhin se përgjegjësia pas flijimit të anëtarëve të familjes heroike – është e madhe, shkruan IndeksOnline.
“Sot shënojmë përvjetorin e ngjarjes më të rëndësishme të historisë tonë bashkëkohore – Epopenë e UÇK-së. Ajo përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe bashkimin tonë popullor drejt lirisë dhe pavarësisë. Historia e shteteve ndërtohet mbi ngjarje që i hapin shteg të ardhmes. Marsi i vitit 1998 është një ngjarje e atillë. Në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ndodhi një përballje aq e pabarabartë, por me domethënie kaq të jashtëzakonshme. Në analet e historisë së Evropës nuk ekziston një rast i vetëm kur për tri ditë e tri netë rresht, i bënë rezistencë një familje liridashëse autoktone një shteti policor e okupator”, deklaroi Kurti.
Ai tha se për familjen Jashari, e vlefshme ishte vetëm liria, për të cilën i sakrifikoi të gjitha.

