Kurti në Këshillin e VV-së njofton për ”Defender Europe 25” dhe marrëveshje strategjike me SHBA-në

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se vendi do të jetë nikoqir i ushtrimit më të madh ushtarak amerikan në Evropë për vitin 2025, “Defender Europe 25”.
Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa e ndau edhe në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Sipas Kurtit, ushtrimi do të zhvillohet në Kosovë nga data 26 maj deri më 7 qershor dhe organizohet nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë. Ai e cilësoi këtë si një dëshmi të fortë të partneritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes.
Përveç kësaj, Kurti njoftoi se më 13 qershor, në Departamentin e Mbrojtjes në Washington DC, do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Marrëveshja do të mbulojë periudhën 2025–2030 dhe është e dyta e këtij lloji që SHBA nënshkruan me një vend partner, pas asaj të arritur me Turqinë në janar të këtij viti.
“Republika e Kosovës edhe këtë vit, nga data 26 maj deri më 7 qershor do të jetë vend nikoqir i ushtrimit më të madh ushtarak amerikan në Evropë që planifikohet dhe organizohet nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë i quajtur Defender Europe 25. Më 13 qershor në Washington DC, në Departamentin e Mbrojtjes, nga Ministri ynë i Mbrojtjes dhe përfaqësuesit e Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-ve do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje që përfshin periudhën 2025-2030. Kjo është marrëveshja e dytë e këtij lloji që nënshkruhet me ndonjë vend partner e aleat, pas asaj të nënshkruar me Republikën e Turqisë më 29 janar 2024. Kjo marrëveshje ndër-qeveritare e fushës së mbrojtjes përfshin shumë aspekte të bashkëpunimit, nga ushtrimet dhe trajnimet te bashkë-zbarkimet ndërkombëtare dhe nga ndërtimi i kapaciteteve ushtarake deri te bashkë-investimet në industrinë e mbrojtjes. Përmbajtja e kësaj kornize të bashkëpunimit të mbrojtjes dhe marrëveshja si dokument u miratuan në Qeverinë e Republikës së Kosovës me datë 12 mars 2025″, tha Kurti
Fjalimi i plotë i Kurtit: