Kurti në Londër: Kosovës i duhen më shumë investime të drejtpërdrejta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024, që po mbahet në Londër ka thënë se Kosova është në një vijë me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, si në sferën politike, ashtu edhe në biznes, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë.
Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se në këto tre vitet e fundit Kosova ka pasur një zhvillim ekonomik, përparim demokratik dhe stabilitet institucional, që ka qenë ndihmesë e madhe për të luftuar me sukses rreziqet për sigurinë, e po ashtu të bëhet adresimi në ndryshimet klimatike, si dhe pabarazinë sociale.
“Kosova udhëheq në Ballkanin Perëndimor sa i përket projektimeve në vitet 24-25. Kemi përparime në zbatimin e rendit dhe ligjit në avancimet në të drejtat politike, në të drejta civile, etj. Kjo e pozicionon Kosovën në një situatë ta favorshme në hartën globale dhe jemi në mes të Lindjes së Mesme, të Evropës dhe Afrikës”, ka theksuar ai.
Kurti, më tej ka deklaruar se Kosova ka një fuqi punëtore, ku mosha mesatare është 31 vjeçare dhje një ekonomi të tregut të hapur që krijon një ambient të mirë për biznesin.
“Jemi të vendosur në investimet teknologjike, ku nga 23 vende evropiane, Kosova del e 11 në ranglistë, duke lënë mbrapa të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE. Në këto tre vite kemi dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja të drejtpërdrejta. Na duhen më shumë të tilla, megjithëse na duhen ma shumë investime të tilla”, ka theksuar Kurti.