Kurti: Ne mbijetuam me një zemër të madhe dhe të hapur
Në kuadër të aktiviteteve në shënim të 18-të vjetorit të Pavarësisë, u mbajt ceremonia e pritjes shtetërore e organizuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja, Vjosa Osmani Sadriu, si dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ku të ftuar e të pranishëm ishin udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës, deputetë të Kuvendit, ambasadorë dhe miq ndërkombëtarë e shumë personalitete të rëndësishme.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se shteti i Kosovës është i paraprirë nga mijëra vite të ekzistencës sonë si popull e qindra si komb dhe nga një betejë po aq e gjatë e cila e ruajti identitetin tonë.
“Para deklarimit të pavarësisë, shtetësia jonë ka ekzistuar në shumë forma, në emra të fëmijëve, vargje librash e veprimtari në të dy anët e Atlantikut, përveçse në Ballkan dhe jo vetëm. Ka ekzistuar në krenarinë që kemi dhe thirrjen për të mirën e përbashkët. Prandaj, në hyrje të vitit të parë të pjekurisë shtetërore, hyjmë me një histori po aq të gjatë sa ajo e vetë Evropës.”
Ai shtoi se në këto 18 vite patëm aktin themelues: për herë të parë, kultura, identiteti, vullneti dhe të drejtat tona patën mundësinë të vendosen nga vetë ne.
Sipas Kurtit, liria jonë mori infrastrukturën e duhur për t’u shndërruar në përparim.
“Edhe pse të kërcënuar vazhdimisht, të thuash se historia jonë si shtet, e si komb, është thjesht një histori mbijetese, është një tkurrje e padrejtë e së vërtetës. Përkundrazi: pavarësisht vështirësive, Kosova mbijetoi pa qenë në një gjendje mbijetese, siç e përshkruan shkenca – një gjendje e mbyllur ndaj gjithçkaje që nuk është e domosdoshme për të jetuar.
Ne mbijetuam me një zemër të madhe dhe të hapur, duke ruajtur bujarinë shpirtërore dhe gatishmërinë për të ecur përpara duke kërkuar llogaridhënie, por asnjëherë hakmarrje. Duke vendosur të jetojmë në unitet, me bashkëjetesë ndërfetare dhe shumetnike” tha kryeministri.

