Kurti në Oslo, tregon arsyen pse nuk po bashkëpunon me PDK-në
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se nuk e ka konsideruar “të udhës” një koalicion me PDK-në, sepse aty së pari duhet të ketë reforma.
Sipas tij, kryetar partie në PDK “është dikush që s’është kryetar”.
“Ju e patë që kot del i pari, kot je më i madh se i dyti dhe i treti së bashku nëse nuk e ke shumicën vetë, meqë automatikisht edhe ata që nuk janë me njëri-tjetrin, kundër teje po bashkohen. Tash kjo nuk është racionale por për fat të keq, jemi në një situatë jo vetëm tani, por që nga viti 2021, që ja shumë inat dhe xhelozi në politikën kosovare, pra nuk po kalon hiç”, ka thënë Kurti në një miting zgjedhor në fundjavë në Oslo të Norvegjisë.
“Ne diku e kemi ende PDK-në nëpër administratën publike, ende dominon nëpër media, ende dominon në sistemin e drejtësisë dhe nuk e kemi konsideru të udhës një letër të tillë për PDK-në. Në PDK duhet me ndodhë reforma, me thënë të drejtën nuk kanë ndodh reforma, aty po ndodh ndërrimi i fytyrës së kryetarit, por gjithmonë kryetar është dikush që s’është kryetar”, ka thënë Kurti.

