75 Mall Live Search
14:09 / E Enjte, 30 Tetor 2025 / P M

Kurti në Paris flet për progres ekonomik të Kosovës që nga viti 2000 e këndej, i përmend edhe njohjet e fundit

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ishte i ftuari i diskutimit “Paqeruajtja në një udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe përgjegjësia globale”, të organizuar në kuadër të Forumit të Paqes, i cili po mbahet në Paris.

Aty Kurti tha se Kosova është histori e dyfishtë suksesi: “së pari, histori suksesi e ndërhyrjes ushtarake dhe humanitare të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë” dhe “së dyti, si shtet ku zhvillimi dhe demokracia ecin krah për krah njëra-tjetrës”.

Pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Siria, në këtë forum, Kurti foli edhe për njohjet e këtij viti për vendin.

“Duke u përgjigjur në pyetjet e audiencës, kryeministri Kurti foli edhe mbi forcimin e shtetësisë së Kosovës edhe ndërkombëtarisht dhe tri njohjet e fundit gjatë këtij viti si dhe aspiratat e vendit tonë për integrim në Bashkim Evropian dhe në NATO, krahas rëndësisë së bashkëpunimit rajonal”, bëri me dije zyra e kryeministrit.

Kurti theksoi se përgjatë “viteve me fuqizimin e shtetit, ulej prezenca ushtarake ndërkombëtare në vend ndërsa rritej progresi ekonomik|.

“Sot Kosova ka Bruto Produkt Vendor (BPV) për kokë banori gjashtë herë më të lartë sesa në vitin 2000 dhe tri herë më të lartë sesa në vitin e shpalljes së pavarësisë më 2008″.

Ai shtoi se Kosova duhet të shërbejë si shembull që “çlirimi dhe pavarësia, kanë edhe dividentë makroekonomike e sociale për të gjithë qytetarët”.

Kurti tha se secili mision paqeruajtës ka nevojë për vlera të përbashkëta dhe jo vetëm për interesa të përbashkëta, duke theksuar rëndësinë e multilateralizmit, dialogut, negocimit, pajtueshmërisë dhe marrëveshjeve.

Në këtë kuptim, Kurti përmendi modelin e Bashkimit Europian, si projekt politik e proces historik të paqes dhe prosperitetit.