Kurti: Në përbërje të delegacionit të Kosovës të jenë edhe përfaqësues nga Lugina e Preshevës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbështetur qëndrimin e kryetarit të Kuvendit Komunat të Preshevës, Sami Salihun që në përbërje të delegacionit të Kosovës të ketë edhe përfaqësues të qytetarëve të Luginës së Preshevës.
Kushtu ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook, ku ka treguar për takimin që ka pasur ai së bashku me deputetin Liburn Aliu me Salihun dhe sekretarin e Kuvendit të Maqedonisë, Avni Aliti.
Ky është postimi i tij:
Në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bashkë me deputetin Liburn Aliu, patëm rastin të presim Kryetarin e Kuvendit Komunal të Preshevës, z. Sami Saihu dhe sekretarin e këtij Kuvendi, z. Avni Aliti.
Nga z. Salihu, u informuam për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si dhe shqetësimet e tyre, tani para rifillimit të negociatave me Serbinë.
U pajtuam që çfarëdo rifillimi i negociatave me Serbinë, mund të jetë i rrezikshëm nëse nuk bazohet mbi marrëdhënie reciprociteti. Miratimi i Rezolutës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku nuk përmenden fare të drejtat e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, reciprociteti me Serbinë si dhe mospërfshirja e asnjë përfaqësuesi nga këto tre komuna shqiptare nën Serbi në delegacion të bisedimeve, na bëjnë të brengosemi për përsëritjen e gabimeve të deritanishme dhe lënien e sërishme në harresë të këtyre qytetarëve shqiptarë.
Ne mbështesim, qëndrimin e z. Salihu që në përbërje të delegacionit të Kosovës të ketë edhe përfaqësues të qytetarëve të Luginës së Preshevës, që bisedimet të bëhen mbi baza të reciprocitetit dhe ku shtrohet çëshja e të drejtave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke pasë parasysh Deklaratën e vitit 2006 të përfaqësuesve të Kuvendeve Komunale të të tre komunave si dhe referendumin e vitit 1992.