75 Mall Live Search
11:58 / E Enjte, 14 Tetor 2021 / OSH

Kurti në Shkup: Krimi e korrupsioni janë multietnik, do ta luftojmë në tërë vendin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin Ekonomik në Shkup, ka thënë se qeveria e tij është duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar multietnik.

Në këtë samit, Kurti u pyet edhe për stabilitetin në Kosovë, me këtë rast ai komentoi aksionin e policisë kundër mallrave të kontrabanduara në disa qytete të vendit, përfshirë këtu edhe veriun. Për situatën e krijuara në veri të Mitrovicës, Kurti tha se kriminelët serbë dhe shqiptarë bashkëpunojnë mirë ndërmjet vete, megjithëkëtë ai tha se korrupsionin dhe krimin do ta luftojnë atë pa marrë parasysh çka ndodhë.

“Për një stabilitet institucional dhe sundim të ligjit, ne jemi duke luftuar korrupsionin dhe krimin organizuar, i cili është multietnik. Kriminelët serbë dhe kriminelët shqiptarë bashkëpunojnë shumë mirë mes veti. Ne duam dhe do t’i luftojmë ata pa marrë parasysh se çka ndodhë. Për shembull, dje ne mëngjes derisa ishte një operacion i policisë në katër komunat e Kosovës dhe të gjithë ata që janë marrë me këtë, kanë qenë serbë, madje, edhe shumica policë, duke përfshirë gjykatës, prokurorë. Mendoj se është gabim t’i jepet kontekst etnik dhe politikë luftës kundër korrupsionit, si dhe krimit të organizuar. Duhet të bashkëpunojmë si shtete të ndryshme të Ballkanit Perëndimor kundër krimit të organizuar”, tha ai.