Kurti nga homazhet për Arben Xheladinin e Mon Balajn: Drejtësia për ta është e mohuar

Në 14-vjetorin e vdekjes së dy aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, janë bërë homazhe te pllaka përkujtimore në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë si dhe tek varret e tyre.
Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka thënë se edhe pas gjithë këtyre viteve, drejtësia për ta vazhdon të jetë e munguar dhe rrjedhimisht një e tillë është e mohuar që në start.
“Ne sot edhe të varret e tyre edhe të pllaka përkujtimore bëmë homazhe dhe vendosëm lule të freskëta duke mos harruar se brezat e shqiptarëve e bartin pishtarin e lirisë nga njëri në tjetrin dhe në këtë mënyrë mundësojnë ecjen përpara nga populli i Kosovës dhe tek i cili ne gjithmonë vijmë dhe gjithmonë kthehemi”, tha Kurti.
Ai ka thënë tutje se drejtësia për Mon Balaj dhe Arben Xheladini dhe liria e vetëvendosja e popullit të Kosovës janë shumë të lidhura për njëri tjetrin dhe shënojnë një gurthemel të lirisë.
Më 10 shkurt 2007, dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje mbetën të vdekur pasi u qëlluan me plumba goma nga policët rumunë të misionit të UNMIK-ut derisa po protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit.