Kurti nga Prekazi: Sakrifica e Jasharëve na obligon ta ruajmë e mbrojmë shtetin
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti bashkë me kolegët nga ekzekutivi, kanë bërë homazhe në Prekaz në shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Kurti e quajti Prekazin, kryeqendër të kryengritjes shqiptare, vendin ku ia rikujtojnë vetes çmimin e lartë që është paguar për shtetin e pavarur dhe sovran.
“Bashkë me kolegët nga ekzekutivi, në ditën e dytë të përvjetorit të 28-të të Epopesë…, erdhëm këtu në Prekaz, në këtë kryeqendër të kryengritjes shqiptare, për të bërë homazhe dhe për t’ia rikujtuar vetes sonë çmimin e lartë që është paguar për shtetin e pavarur dhe sovran”, tha Kurti.
Ai përmendi sakrificën e familjes Jashari, duke theksuar se nga Shaban e Nënë Zahidja deri te Belrina e vogël, tre breza të Jasharëve për tri ditë përballuan një rrethim të hekurt të forcave serbe, të cilat me mijëra trupa dhe makineri të rënda shkrepën mijëra plumba mbi këtë familje që është simbol i popullit shqiptar.
“Tre breza u flijuan për çlirimin e vendit. Andaj familjes Jashari ne ia kemi borxh të përjetshëm e të pashlyeshëm angazhimin e përditshëm për ta ruajtur dhe mbrojtur shtetin”, u shpreh ai.
Kurti theksoi se sot Kosova ka ushtrinë e saj, e cila është amanet i Adem Jasharit. Sipas tij, Adem Jashari, shumë kohë para se të binte heroikisht, për vite me radhë në kodrat dhe malet e Drenicës, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, qëndroi, veproi dhe organizoi ilegalisht atë që më pas u shndërrua në kryengritje gjithëpopullore, bartëse e së cilës ishte UÇK-ja.
“Këtë ushtri që po e avancojmë e shohim edhe si një përmbushje të idealit të luftëtarëve të rreshtave të parë, të cilët ëndërronin për çlirimin dhe punonin për ushtrinë e popullit tonë”, përfundoi ai.

