75 Mall Live Search
17:45 / E Martë, 25 Nëntor 2025 / MSH

Kurti nikoqir i Prattipatit dhe stafit të Ambasadës amerikane, për Ditën e Falënderimeve

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shtroi drekë për të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, dhe stafin e saj me rastin e Ditës së Falënderimeve.

Takimi u bë i ditur nga Zyra e Kryeministrit.

Kjo drekë e përbashkët e Ditës së Falënderimeve ndërmjet zyrtarëve të qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës së SHBA-së tashmë është në vitin e saj të dytë, me synim që të shndërrohet në një traditë shumëvjeçare.

Dreka përfshiu shumë nga ushqimet që tradicionalisht shërbehen gjatë një darke të Ditës së Falënderimeve.

Kjo festë është kremtuar në Shtetet e Bashkuara për gati 400 vjet dhe u shpall festë vjetore kombëtare nga presidenti Lincoln, në vitin 1863.

Ajo ofron një mundësi të mirë për të shprehur falënderim për marrëdhëniet që ndajmë, të cilat vazhdojnë të thellohen.

Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë ndërtuar në vlera të përbashkëta, mirënjohje dhe respekt të ndërsjellë.

Këtë vit, me qëllim të forcimit të raporteve tona bilaterale, kemi marrë vendim për 0% tarifa për mallrat amerikane, kemi arritur dakordim për strehimin e përkohshëm të shtetasve të vendeve të treta dhe kemi bërë prokurime të rëndësishme në fushën e mbrojtjes.