75 Mall Live Search
15:24 / E Hënë, 14 Prill 2025 / S Z

Kurti: Nishori me thyerjen e heshtjes u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se në Ditën memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, nderojnë çdo grua dhe burrë që përjetoi dhe mbijetoi këtë krim të rëndë e çnjerëzor të përdorur sistematikisht nga forcat okupuese serbe.

Kurti ka thënë se Ramadan Nishori me thyerjen e heshtjes u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës.

Sipas tij kjo është një thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar, të cilët vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi të shumta në kërkimin e të drejtave që u takojnë.

“Në Ditën memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, nderojmë çdo grua dhe burrë që përjetoi dhe mbijetoi këtë krim të rëndë e çnjerëzor të përdorur sistematikisht nga forcat okupuese serbe. Nderojmë Marte Tunajn, Vasfije Krasniqi Goodman, Shyrete Tahiri Sulimanin, që me guxim dëshmuan të vërtetën mbi krimet e Serbisë në Kosovë, edhe për mijëra gra e burra të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Me kurajë të jashtëzakonshme, sot, Ramadan Nishori theu heshtjen dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo është një thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar, të cilët vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi të shumta në kërkimin e të drejtave që u takojnë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Më tej ai ka njoftuar se në përputhje me ligjin, po e  zgjasin periudhën e aplikimit në Komisionin Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Qeveria e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me të gjithë të mbijetuarit e të mbijetuarat dhe angazhohet për drejtësi, njohje dhe mbështetje të vazhdueshme.Në këtë ditë simbolike, në përputhje me ligjin, po zgjasim periudhën e aplikimit në Komisionin Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, me synimin që asnjë e mbijetuar dhe i mbijetuar të mos mbetet pa mundësinë për të kërkuar njohjen dhe mbështetjen që meriton.Heshtja dhe stigma që ende rëndon mbi këtë krim lufte vazhdon të pengojë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi e mbështetje. Është detyra jonë si shoqëri që të ofrojmë përkrahjen tonë maksimale, me solidaritet dhe empati”, ka shkruar tutje ai.