75 Mall Live Search
16:37 / E Premte, 06 Mars 2026 / F.R

Kurti: Nuk kemi marrë asnjë propozim zyrtar për kandidat për president

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se deri më tani nuk është paraqitur asnjë propozim zyrtar për kandidat për president dhe se nga deputetët e partisë së tij nuk është kërkuar mbështetje për ndonjë emër konkret.

Ai theksoi se partitë e tjera kanë qenë të qarta në qëndrimet e tyre, por sipas tij nuk kanë propozuar kandidatë zyrtarisht me nënshkrime.

“Ata kanë qenë të qartë në qëndrimin e tyre dhe nuk kanë pasur kandidatë që i kanë propozuar zyrtarisht me nënshkrime. Nuk ka pasur asnjë kërkesë drejtuar nesh për të dhënë nënshkrimet tona për ndonjë propozim tjetër”, tha Kurti.

Sipas tij, deri më tani nuk është bërë asnjë përpjekje për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të tyre për ndonjë kandidat të mundshëm.

“Pra, nuk ka pasur propozime konkrete dhe as kërkesa formale për nënshkrime nga deputetët tanë për ndonjë kandidat për president. Asnjë individ nuk është paraqitur me një iniciativë të tillë dhe nuk është kërkuar që të bashkëpunojmë në këtë drejtim”, u shpreh ai.

Kurti shtoi se procesi duhet të zhvillohet brenda afateve të përcaktuara ligjore dhe sipas strategjisë institucionale në Kuvendi i Kosovës.

“Ndërkohë, sipas procedurave dhe strategjisë institucionale, afatet ligjore janë të përcaktuara dhe procesi duhet të zhvillohet brenda tyre. Nëse brenda këtyre afateve nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, atëherë procesi kalon në fazat e tjera të parapara me ligj”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur diskutime politike, por ende nuk është paraqitur një kandidat që do të siguronte mbështetjen e nevojshme për t’u zgjedhur president.

“Ka pasur diskutime të gjera politike gjatë gjithë kësaj periudhe, por deri tani nuk është paraqitur një kandidat që do të kishte mbështetjen e nevojshme për t’u zgjedhur president. Në momentin kur u bë e qartë se nuk ka mbështetje të mjaftueshme për një kandidat, atëherë u kuptua se zgjedhja e presidentit do të jetë e vështirë pa një marrëveshje më të gjerë politike”, tha Kurti./IndeksOnline/