Kurti: Nuk mund të ekzistojë kryeministër, pra as unë që të na rrënojë marrëdhëniet me ShBA-të

Kryeministri i vendit, Albin Kurti deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat dhe partner i pazëvendësueshëm.
“Konsiderojmë që aq të thella e të gjera janë lidhjet tona me ShBA-të sa nuk ka kryeministër që mund t’i rrënojë siç po pretendoni ju. Nuk mund të ekzistojë kryeministër, pra as unë që të na rrënojë marrëdhëniet me ShBA-të. Është gabim në politikën e jashtme që ne të bëjmë lojën e rrezikshme të kundërshtimit të BE-së e të përqafimit të ShBA-së, megjithatë ata janë bashkë. Dallime ka edhe brenda partive, e lëre më që i ndanë një oqean”, tha Kurti, shkruan Indeksonline.
Duke iu kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu i cili akuzoi kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij për bashkëpunim me spanjollin, Joseph Borrell e jo me Amerikën, Kurti tha se është gabim të thuhet që Washington-i i mirë, e Brukseli i keq, për ne është gabim të thuhet ashtu.
“Çështja e manipulimit e mashtrimit, nuk nevojitet asgjë më pak sesa një mashtrues i dështuar që tek unë të shihet si mashtrues i suksesshëm. Suksesi im nuk vjen nga mashtrimi, duhet të jesh vetë mashtrues i dështuar që të duket se suksesi vjen nga mashtrimi, pra vjen nga parimi. Më shumë flet për pikë vështrimin e juaj,sesa për qënien apo përbërjen time. Pa e kuptuar këtë, nuk mund ta kuptoni as pse i keni humbur zgjedhjet”, shtoi ai teksa deputeti Haxhiu vazhdoi të kritikonte Kurtin e ta quante ‘mashtrues’./Indeksonline/