13:39 / E Enjte, 27 Janar 2022 / OSH

Kurti: Nuk mund të ndalim rritjen e rasteve të reja

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që ne masat e reja që janë ndërmarrë synojnë që së paku të ngadalësohet rritja e virusit, pasi nuk e ndalin dot.

Kurti këtë e tha gjatë seancës së jashtëzakonshme që po mbahet sot në Kuvend, me të vetmen pikë të rendit të ditës, debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në vend, të thirrur nga opozita.

“Ju garantoj se posa të bëhet e qartë që masat nuk janë më të nevojshme, ne menjëherë do t’i lehtësojmë ato”, tha Kurti.

“Përkundër numrit të madh të të vaksinuarve, nuk na ofrojnë siguri për ditët dhe muajt në vijim. Rritja eksponenciale e rasteve të paktën për një kohë do të jetë e pashmangshme çfarëdo kufizime që vendosim”.