75 Mall Live Search
14:54 / E Martë, 15 Mars 2022 / B O

Kurti, opozitës: Natyrisht se kur ka tepricë, eksportohet, çka t’i bësh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka reaguar deputetit të PDK-së, Ferat Shala, i cili ka thënë se kompania publike KEK-u po eksporton energji elektrike më lirë, ndërkohë që kompania tjetër KOSTT-i po e blen atë dyfishë më shtrenjtë për t’i mbuluar humbjet në veri të Kosovës.

Kryeministri Kurti në seancën parlamentare tha se kur ka tepricë të energjisë elektrike, natyrisht që ajo eksportohet.

“Eksporti i energjisë, që u tha për muajt janar dhe shkurt të vitit 2022, janë tre faktor, njëri prej të cilëve është keqkuptim. Faktori I parë, është transiti I energjisë. Transiti i energjisë nuk është eksport. Kur Serbia i shet energji Shqipërisë ose anasjelltas dhe po kështu kur Maqedonia e Veriut I shet energji Malit të Zi, pra, ajo kalon nëpër Kosovë, hyn e del, por ajo që del nuk është eksport. Janë edhe faktor të tjerë. Faktori I dytë, është që Ujmani ka kontrata afatgjate të eksportit të energjisë. Ne I kemi gjetur ato kontrata. Me 38 euro e shet një megavat orë. Këto kontrata i ka bërë Ujmani. Po, Ujmani eksporton, sepse ka obligim kontraktual, shitjen kaq të lirë në një krizë energjetike. Dhe faktori I tretë është, teprica e energjisë sidomos në orët 3,4.5, pas mesnate. Po iu tregoj, vetëm dje në mëngjes si ka qenë. Në orën 03:00, prodhimin e kemi pasur 903 megavat, ndërkaq konsumin 804. Po ashtu në orën 04:00, dje në mëngjes, e kemi pasur prodhimin 907 megavat, konsumin 822. Pra, më pak. Në orën 05:00 në mëngjes e kemi pasur prodhimin 905 ndërkaq konsumin 809, bile edhe në orën 06:00 e kemi pasur prodhimin 905 e konsumin 844. Çka me I bërë kësaj energjie. Me ia dhënë KOSTT-it, çka I vyen KOSTT-it. Kuptoni, derisa piku në orën 23:00 ngelet i pa mbuluar, në orët pasmesnate dhe në orët hershme të mëngjesit ne kemi tepricë, dhe tepricën natyrisht që e eksporton. Nuk ke cka t’i bësh”, theksoi Kurti.

Deputeti nga PDK-ja, Ferat Shala theksoi se nuk ka asgjë të keqe me eksportuar energji elektrike, por sipas tij, kjo po ndodhë në kohën kur Qeveria dhe ZRRE shtrenjtuan rrymën për qytetarët për shkak të importit të shtrenjtë.