75 Mall Live Search
23:51 / E Premte, 10 Korrik 2026 / MSH1

Kurti, pas takimeve me PDK-në dhe LDK-në: Është herët për rezultate konkrete, por mbetemi optimistë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se, në kuadër të konsultimeve për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për legjislaturën e njëmbëdhjetë, ka zhvilluar takime të ndara me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Përmes një postimi, Kurti tha se është ende herët për të folur për rezultate konkrete, por u shpreh optimist për ecurinë e mëtejme të procesit, transmeton IndeksOnline.

“Është ende herët të flasim për rezultate konkrete, por mbetemi optimist për rrugën përpara. Fryma konstruktive përgjatë bisedimeve njëmend nuk paraqet marrëveshje e garanci për sukses, por meqenëse jemi veçse te takimi i parë pas certifikimit të rezultatit kemi shpresë për avancim në vijim”, ka shkruar ai.

Kurti theksoi se angazhimi mbetet që vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhje të materializohet me krijimin e institucioneve të reja dhe funksionale.

“Jemi të angazhuar dhe të përkushtuar që vullnetin e shprehur të popullit ta jetësojmë me institucione të reja e funksionale, që punojnë për të mirën e qytetarëve dhe Republikës”, ka përfunduar Kurti.

Kujtojmë se Kurti fillimisht u takua me Bedri Hamzën e PDK-së, për të pritur më pas në takim Vjosa Osmanin dhe Lumir Abdixhikun nga LDK-ja. Ndonëse e ftoi në takim edhe Ardian Gjinin e Aleancës, ky i fundit refuzoi të marrë pjesë.