Kurti pas takimit me Pierce-n: Mbretëria e Bashkuar ndër aleatët më të fuqishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se takimi ishte një mundësi e mirë për të thelluar diskutimet mbi zgjerimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Britanisë së Madhe.
“Siguria dhe mbrojtja, diplomacia dhe industria kreative ishin pjesë e temave të bisedës, gjersa trajtuam edhe pritshmëritë mbi samitin e ardhshëm të procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Londër në tetor të këtij viti”, shkroi Kurti.
Ai e cilësoi Mbretërinë e Bashkuar si një ndër aleatët më të fuqishëm të Republikës së Kosovës dhe shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme nga Londra zyrtare.
“Shpreha mirënjohjen ndaj emisares Pierce për partneritetin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj shtetit tonë”, theksoi Kurti.