Kurti: PDK së bashku me Listën Serbe punojnë në ndarjen e Kosovës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe kanë politika të përbashkëta.
Sipas tij, që të dyja kanë politikë ndarjen e Kosovës dhe legjitimimin e strukturave kriminale të Serbisë.
Kurti këto komente i bëri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, duke shtuar se për zgjedhjet në veri qytetarët kanë vetëm dy mundësi.
“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme dhe i kemi vetëm dy alternativa, nga njëra anë Lista Serbe dhe PDK-ja nga ana tjetër kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje. Lista Serbe dhe PDK nuk janë me kandidatë të përbashkët por me politika të përbashkëta për ndarjen e Kosovës por edhe për legjitimimin e strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Vet lista Serbe nuk do të kishte mundësi që të vepronte në Kosovë e kundër Kosovës pa lejen dhe miratimin e PDK-së”, ka thënë Kurti.

Kreu i LVV-së kritikoi edhe kryeministrin Ramush Haradinaj.
Kryeministri, sipas Kurtit, nuk është duke insistuar në mos heqjen e taksës ndaj produkteve serbe se beson në të por se e di se do ta heqin nga pushteti.
“Kryeministri Haradinaj nuk po qëndron se beson në taksën 100% por se e donë pushtetin, e ka kuptuar po e hoqi taksën do ta heqin nga pushteti prandaj po e zgjat sa të mundet qëndrimin në pushtet”, tha ai më tutje.
Kurti në këtë tubim ka prezantuar edhe kandidatët e LVV-së për kryetarë të komunave me shumicë serbe.
Kandidatët e LVV-së janë: Liridona Kahrimani, kandidate për kryetare në Zubin Potok, për komunën e Leposaviqit, Fisnik Veseli, për komunën e Zveçanit do të jetë Avdi Peci, dhe për gjysmën veriore të Mitrovicës do të jetë Erden Atiqi. /Indeksonline/