11:57 / E Mërkurë, 08 Maj 2024 / MSH

Kurti për Asociacionin si kushtëzim: Tri herë u tentua të futej si kërkesë, tri herë u refuzua nga vetë instancat e KiE-së

Në mbledhjen që po zhvillon Qeveria, kryeministri Albin Kurti ka folur mbi kushtëzimin e kërkesës për Asociacion, në mënyrë që Kosova të pranohet në KiE.

Kurti ka thënë se nëse do të pranohej draft-statuti, i njëjti më pas do të dërgohej në gjykatë Kushtetuese për t’u kontestuar ose jo.

Vetëm pasi të dërgohej në Kushtetuese, sipas kryeministrit, atëherë do të mund të ishte kusht për anëtarësim.

“Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhej pjesë e pakos së marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit, që është pjesë integrale e tij, dhe të nënshkruhej për t’u bërë ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm. Por, u pat refuzuar nga Serbia. Refuzimi nuk është pranim. Refuzimi është refuzim. Nëse me datë 26 tetor 2023, do të pranohej dhe nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel, vetëm atëherë, ai draft-statut do të mund të dërgohej në Gjykatë Kushtetuese. Draft-statuti i Lajçakut dhe emisarëve të tjerë të QUINT-it, si dokument, dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si i tillë është një jo-dokument, pra është “non-paper”.

Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Gjykatë Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde. Përkundër kësaj, tri herë gjatë procesit u tentua të futej kjo kërkesë, si parakusht për anëtarësim… që të tri herat u refuzua. Kërkesa që po shtyhet si kushtëzim për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës jo vetëm që nuk është parimore e vlerore, por ajo tashmë është refuzuar tri herë nga vet instancat e Këshillit të Evropës” ka thënë Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.

“Unë kam propozuar modelin kroat, por u refuzua. Serbia me Kroacinë kanë marrëveshje normalizimi, atje quhet Këshilli Kombëtar i Serbëve. Edhe Kroacia është vend anëtar i BE-së dhe NATO-s e mora si shembull, dhe kjo u refuzua. U refuzua ta shkruajë unë draftin, u refuzua që të shkruajë në modelin kroat, dhe u refuzua nënshkrimi i paketës më 26 tetor. Nuk mund të kthehemi tash në vitin 2013. Jemi më 8 maj, jo me 8 maj. Kërkesa për ta bërë kusht është rrëzuar tri herë. Jemi tu fol për një temë që ka marrrë votë negative 3 herë. Ne e kemi të pamundur të bëjmë më shumë në këtë drejtim sepse biem në kundërshtim me Asamblenë e Këshillit të Evropës. Kemi dërguar letër të garancie të nivelit të më lartë”, tha kryeministri.