75 Mall Live Search
23:56 / E Premte, 29 Nëntor 2024 / FR

Kurti, për shpërthimin në veri: Është sulm terrorist i orkestruar

Në kanalet e ujësjellësit të “Ibër Lepencit” sonte ndodhi një shpërthim, që dyshohet të jetë i qëllimshëm.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dënoi sulmin, që sipas tij është i dirigjuar nga Beogradi zyrtar.

Në një konferencë të jashtëzakonshme, Kurti tha se këto janë sulme kriminale, terroriste e dashakeqe nga fqinji verior agresor.

“Një pjesë e kanalit është dëmtuar nga një shpërthim i detonuar. Policia është në vendin e ngjarjes teksa furnizimi me ujë është ndërprerë përkohësisht”, tha Kurti.

Ai tha se është një sulm i rrezikshëm që ka synuar të dëmtojë jo vetëm furnizimin me ujë, por edhe atë me energji. 

Kurti deklaroi se besojnë që është sulm terrorist i orkestruar, teksa është minuar me eksplozivë, shkruan IndeksOnline.

“Nëse dëmi nuk riparohet, disa pjesë rrezikojnë të mbesin pa rrymë e pa ujë nesër në mëngjes, përfshirë dhe zona të Prishtinës”, shtou kryeministri, duke thënë se është i treti shpërthim i ditëve të fundit.

Ai shton se përpjekjet e tilla do të mbesin të dështuara.

Kryeministri shtoi se menjëherë do të thërrasë në takim gjeneralmajorin e KFOR-it dhe Këshillin e Sigurimit./IndeksOnline/