00:01 / E Diele, 19 Mars 2023 / MSH

Kurti për të pagjeturit: Vuçiq refuzoi edhe sot të nënshkruajë, shpejt do marr fund kjo plagë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se me Serbinë është arritur pajtimi publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë.

Ai tha se në marrëveshjen bazë është njohje e ndërsjellë de-facto.

“Kjo është njohje de-facto në mes Kosovës e Serbisë. Sot mund të themi që e kemi edhe aneksin e zbatimit përcjellës, por i ikën nënshkrimit të marrëveshjes bazë, e i ikën edhe nënshkrimit të aneksit”, është shprehur Kurti.

Tutje, ai tha se i takon BE-së që të gjejë mekanizmin për ta bërë këtë marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme.

Kurti gjithashtu tha se presidenti serb refuzoi të nënshkruajë mes të tjerash edhe për shkak të ngritjes së çështjes së të pagjeturve nga pala kosovare.

Megjithatë, sipas kryeministrit, kjo plagë do të marrë fund së shpejti.

“Janë edhe 1 mijë e 617 të pagjetur në Kosovë, nuk janë që të gjithë shqiptarë, por shumica dërrmuese tyre janë shqiptarë, por pa dallim etnie, pa dallim përkatësie kombëtare ne dëshirojmë që të zbardhet fati i tyre dhe të vihet në vend drejtësia, andaj edhe fjalën urgjencë në aneksin e zbatimit e keni pikërisht tek çështja e personave të pagjetur”, është shprehur ai.

Kujtojmë që në delgacionin kosovar ishte edhe kryetari i Komitetit për të Pagjeturit, Andin Hoti, i biri i Ukshin Hotit.