Kurti për zgjedhjet në Amerikë: Nuk do ta kisha bërë tashti gjimnastikën cerebrale të hipotezave nëse fiton ky, e nëse ai kur të fitojë
Më 5 nëntor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të mbahet zgjedhjet presidenciale.
Lidhur më këto zgjedhje, në një konferencë për media kryeministri i vendit, Albin Kurti është pyetur nga gazetarët.
Në fjalën e tij Kurti u shpreh se tashti nuk do të kishte bërë gjimnastikën cerebrale të hipotezave.
“Nuk kam ndonjë gjë tjetër që të them, t’i shohim rezultatet, t’i shohim përzgjedhjet e kandidatit që fiton. Nuk do të kisha bë tashti gjimnastikën cerebrale të hipotezave mbi hipotezat se ‘nëse fiton ky, e nëse ai kur të fitojë, se nuk po e dimë a fiton, a e zgjedh këtë tjetrin që s’po e dimë a e zgjedh, e pastaj kur të zgjedhë, nëse e zgjedhë ai që fiton, që s’po e dimë a fiton, çka do të thotë’”, tha Kurti.
Më tej, Kurti tha se nuk do të hynte në këtë temë, sidomos pasi zgjedhjet në Amerikë janë afër dhe se “kjo është foltorja e kryeministrit”./Indeksonline/