75 Mall Live Search
07:40 / E Mërkurë, 29 Tetor 2025 / MSH

Kurti përfaqëson sot Kosovën, në Forumin e Paqes në Paris

Sot fillon Forumi i Paqes në Paris, një ngjarje ndërkombëtare vjetore që mbahet në Paris, e krijuar për të promovuar bashkëpunimin global dhe qeverisjen shumëpalëshe përballë sfidave botërore.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar dje për në kryeqytetin e Francës, ku do të marrë pjesë në këtë forum, me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron.

Gjatë qëndrimit në Paris, krahas pjesëmarrjes në Forumin e Paqes, Kurti do të zhvillojë takime bilaterale në margjina të Forumit.

Ndërkaq, mbrëmë ishte i ftuar nderi në darkën e shtruar nga Qarku diplomatik i Parisit.

Po ashtu Kurti zhvilloi një takim me Institutin Jacques Delors, një institut të respektuar me seli në Paris, i themeluar nga vetë Jacques Delors – një nga arkitektët më të mëdhenj të Bashkimit Evropian – për një diskutim mbi gjeopolitikën dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor.

“E shfrytëzova këtë mundësi për të theksuar nevojën për një qasje vendimtare dhe të bazuar në meritë ndaj zgjerimit të BE-së, si çelës për sigurinë evropiane përballë rreziqeve të tanishme gjeopolitike. Diskutuam gjithashtu për investimet e Kosovës në mbrojtje, mbrojtjet kushtetuese dhe praktike të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe për lidhjen e pandashme midis agjendave ekonomike dhe parimeve demokratike”, deklaroi Kurti, pas takimit.