75 Mall Live Search
16:48 / E Shtunë, 23 Mars 2024 / MSH

Kurti përkujton Albright-in: Kosova gjithmonë mirënjohëse për përkrahjen e saj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Sekretaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëherazi edhe mikeshën e madhe të Kosovës, Madeleine Albright, në dyvjetorin e vdekjes së saj.

Përmes një postimi në platformën “X”, Kurti është shprehur se falë “Zonjës së Hekurt”, NATO ndërhyri për të ndërprerë luftën e fundit në Kosovë.

“Kanë kaluar dy vjet që nga vdekja e Sekretares së Shtetit të SHBA, Madeleine Albright, një avokate e vendosur për vlerat amerikane jashtë vendit. Kosova do të jetë gjithmonë jashtëzakonisht mirënjohëse për përkrahjen e saj ndaj ndërhyrjes së NATO-s, e cila ndaloi krimet e papërshkrueshme të gjenocidit” ka shkruar Kurti, raporton Indeksonline.

Albright ishte sekretare në kohën kur në Kosovë u zhvillua lufta. Ajo vlerësohet se pati ndikim të madh për të bindur SHBA-në dhe botën për krimet serbe që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.