75 Mall Live Search
18:11 / E Hënë, 28 Mars 2022 / AR

Kurti përkujton masakrën e Izbicës dhe familjes Bogujevci: Plagët janë të hapura!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, para 23 viteve në Podujevë.

Ai thotë se në këtë masakër humbi 16 anëtarë të familjes e u mbijetoi 16 plumbave Saranda Bogujevci, e cila sot është Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, raporton Indeksonline.

Tutje, kryeministri ka përkujtuar edhe masakrën e Izbicës, teksa shton se “në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja“.

Postimi i plotë:

7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç dhe 7 gra të familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, u pushkatuan 23 vjet më parë në Podujevë nga njësiti rezervë policor serb “Shkorpionët”.

Në këtë masakër humbi 16 anëtarë të familjes e u mbijetoi 16 plumbave Saranda Bogujevci. Ajo sot është Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Rreth 80 kilometra më larg, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe rrethuan mijëra civilë të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth. Nga turma i morën 147 burra dhe djem, të cilët i ekzekutuan në vend.  

Të dy masakrat u kryen më 28 mars 1999, katër ditë pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe në 10 vjetorin e Kushtetutës së Serbisë, që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.

Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta.