75 Mall Live Search
16:46 / E Hënë, 26 Maj 2025 / FR

Kurti: Po bëjmë maksimumin që ish-deputeti Agusholli të lirohet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se institucionet janë duke bërë maksimumin që ish-deputeti Gramos Agusholli, i cili është arrestuar në Serbi, të lirohet sa më parë.

“MPJD e ka dhënë qëndrimin e qeverisë. Po bëjmë maksimumin që ish-deputeti, kolegu ynë Gramos Agusholli, të lirohet një orë e më parë,” tha ai.

Këtë deklaratë, Kurti e bëri pas ceremonisë së certifikimit të nxënësve të klasave të 12-ta të profilit floktar në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë.

Ish-deputeti u ndalua sot paradite nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë, ndërsa ishte në tranzit drejt Sllovenisë, bëri të ditur Ministri e Punëve të Jashtme e Kosovës.

“MPJD dënon fuqishëm këtë veprim arbitrar të autoriteteve serbe dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të z. Gramos Agusholli dhe ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut’, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Kosovës.