11:25 / E Martë, 27 Shtator 2022 / A. M.

“Kurti po tallet me mësimdhënësit”, thotë Jehona Lushtaku-Sadriu e LDK-së

Kryetare e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, i ka bërë thirrje qeverisë që të gjejë një zgjidhje sa i përket grevës në arsim që është duke zgjatur për pesë javë rresht.

“Janë 318 mijë nxënës në shtëpi sepse Qeveria jonë nuk është e gatshme të gjejë zgjidhje për ta. Asnjëherë nuk ka ndodhur në Kosovë që shkollat të jenë të mbyllura për kaq shumë kohë. Ky komoditet që ka marrë Qeveria nuk i takon asnjë qeverie në botë. Duhet të gjendet një zgjidhje sa më shpejt, që nxënësit të kthehen në shkolla dhe kërkesat e mësimdhënësve të adresohen”, tha ajo.

Kujtojmë se edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se mbi 320 mijë fëmijë tash e një muaj janë pa mësim, ndërsa kryeministri i Kosovës zgjedhë të largohet për në Japoni.

Sipas kryetarit të LDK-së, Albin Kurti nuk di të qeverisë.

“Asnjëherë në Kosovë, në kohë paqeje, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë. Asnjëherë më parë fëmijët kosovarë nuk kanë pësuar me kaq pandjeshmëri. Kjo më nuk është gjendje normale. Fëmijët, familjet, mësimdhënësit e vet shteti s’mund të dëmtohen me kaq lehtësi. Kujt i duhen fajësimet, ofendimet e egot individuale kur në fund mbesim në krizë”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.

Postimi i plotë i tij:

Mbi 320 mijë fëmijë tash e një muaj janë pa mësim – rrinë në shtëpi – por Kryeministri i Kosovës zgjedhë të largohet për në Japoni.

Paaftësi dhe papërgjegjësi!

Ky njeri nuk di të qeverisë!

Asnjëherë në Kosovë, në kohë paqeje, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë. Asnjëherë më parë fëmijët kosovarë nuk kanë pësuar me kaq pandjeshmëri. Kjo më nuk është gjendje normale. Fëmijët, familjet, mësimdhënësit e vet shteti s’mund të dëmtohen me kaq lehtësi. Kujt i duhen fajësimet, ofendimet e egot individuale kur në fund mbesim në krizë?

Kosova ka nevojë për vëmendje e udhëheqje të matur politike. Kosova ka nevojë për lidership që jep zgjidhje, menaxhon kriza e përgatitë vendin për betejat e madha përpara – në energjetike, inflacion, shëndetësi e ekonomi. Ikja nga këto ballafaqime është veç papërgjegjësi.