Kurti pret në një takim drejtuesit e organizatës zvicerane “Helvetas”, flasin për zhvillimin ekonomik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me drejtuesit e “Helvetas Swiss Intercooperation”.
Sipas njoftimit në këtë takim është diskutuar lidhur me bashkëpunimin e gjatë e të frytshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe organizatës “Helvetas”, e cila prej më shumë se dy dekadash kontribuon në zhvillimin ekonomik, përfshirjen sociale dhe qeverisjen e mirë në vendin tonë.
Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e “Helvetas”-it në proceset zhvillimore të Kosovës që nga viti 2001, veçanërisht përmes projekteve si, DEMOS, që mbështetë 38 komuna për qeverisje lokale demokratike; GPEK-ja, që ndihmon tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër; dhe RECONOMY, që fuqizon gratë dhe të rinjtë për mundësi të reja punësimi.
Ai theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me prioritet për qeverinë si, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, përfshirja e diasporës dhe përmirësimi i shërbimeve publike.
Nga ana tjetër Lengsfeld, drejtori ekzekutiv, vlerësoi progresin e Kosovës në zhvillim institucional dhe demokratik, si edhe gatishmërinë e qeverisë për partneritet strategjik.
Ai theksoi se “Helvetas”-i mbetet e përkushtuar për të vazhduar mbështetjen në fushat e qeverisjes lokale, zhvillimit ekonomik dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.
Në fund palët u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin në kuadër të projekteve aktuale dhe për të identifikuar mundësi të reja, që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë./Indeksonline/

