Kurti pret në një takim ish-ministren e PDK-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, mirëpriti kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka Pula, së bashku me nënkryetarin e Akademisë, akademik Fejzullah Krasniqi dhe sekretarin Shkencor, akademik Bardh Rugova.
Kryetarja Shiroka Pula e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës dhe e falënderoi për pjesëmarrjen e vazhdueshme në aktivitetet e ASHAK-ut. Ajo e njoftoi kryeministrin për punën, planet dhe prioritetet e institucionit që drejton, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ASHAK-ut me institucionet shtetërore për nevojat dhe interesat e vendit, përmes ekspertizës që ofron akademia.

Kryeministri gjithashtu e uroi kryetaren Shiroka Pula për detyrën e saj të re dhe i uroi suksese në punë. Ai theksoi prioritetet e qeverisë, ndër to arsimin dhe drejtësinë, si edhe rëndësinë e tyre për një hov të ri të zhvillimit të vendit, por edhe rolin që bashkëpunimi me ASHAK-un mund të luajë në këtë drejtim.

Diskutuan për zhvillimet, progresin dhe sfidat në vend, dhe u pajtuan të mbajnë komunikim të rregullt për thellimin e bashkëpunimit.

