75 Mall Live Search
15:37 / E Hënë, 01 Mars 2021 / OSH

Kurti pret në takim ambasadorin turk, sqarohet për vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim ambasadorin turk në Kosovë, Cagri Sakar.

Kurti ndër të tjera ka folur edhe për çështjen e vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës, në Jerusalem.

Sipas tij, vendi se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet, duke parë edhe dokumentacionin e Qeverisë aktuale.

“Sot, kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për deputete, Fitore Pacolli dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj, në zyrat e Lëvizjes priti ambasadorin e Turqisë, z. Çağri Sakar dhe sekretaren e dytë të ambasadës, znj. Dilara Köseoğlu.
Ambasadori uroi kryetarin Kurti për rezultatin e zgjedhjeve, duke theksuar se ai dhe Turqia janë të interesuar të thellojnë bashkëpunimin me Qeverinë në ardhje. Kryetari Kurti e falendëroi ambasadorin për vizitën, si edhe për letrën e urimit nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Kryeministri në ardhje, Kurti e informoi ambasadorin për prioritetet e Qeverisë së tij dhe potencoi se në raport me Turqinë do të fokusohemi në shtimin e marrëdhënieve tona bilaterale, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik.
Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e Qeverisë në ikje.
Në fund, të dy u dakorduan që porsa të formohen institucionet e reja të legjislaturës së tetë do të vazhdojmë bashkëpunimin midis dy vendeve tona mike”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje./Indeksonline/