75 Mall Live Search
13:23 / E Premte, 28 Qershor 2024 / S Z

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadoren e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Kryeministri Kurti falënderoi ambasadoren Lobbezoo që gjatë mandatit të saj transmetoi miqësinë dhe mbështetjen e Holandës. Në këtë periudhë me zhvillime të shumëta, bashkëpunimi i ndërsjellë ka kontribuar në ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës. Kryeministri theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Holandës dhe popujve të dy vendeve janë forcuar edhe më shumë, sidomos pas liberalizimit të vizave.

I shprehu falënderim të veçantë për mbështetjen e Holandës dhe ambasadores Lobbezoo ndaj Kosovës gjatë procesit tonë të aplikimit për në Këshillin e Evropës.

Krahas rrugëtimit të vendit tonë drejt integrimit evropian, në takim u diskutua edhe për përkrahjen e vazhdueshme të Ambasadës Holandeze për organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, përmes programeve dhe nismave të ndryshme. Në këtë kontekst u veçua programi MATRA, zbatimi i të cilit ka nxitur zhvillimin e këtij komuniteti dhe ka ndikuar në fuqizimin e organizatave joqeveritare lokale në vendin tonë. Tej, ai theksoi se fokusi i Ambasadës Holandeze në përmirësimin e llogaridhënies dhe transparencës në qeverisjen dhe sistemin e drejtësisë, është i një rëndësie të madhe për vendin.

Mbretëria e Holandës është njëra nga vendet e para që e ka njohur pavarësisë e Kosovës, vetëm dy javë pas shpalljes së saj.