75 Mall Live Search
13:28 / E Martë, 30 Mars 2021 / AR

Kurti pret në takim përfaqësuesit e agjencive të KB-së, i falënderon për vaksinat

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë pritur sot në një takim përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Kosovë. 

Kryeministri Kurti i falënderoi agjencitë për kontributin që kanë dhënë për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës dhe për sigurimin e kontingjentit të parë të vaksinave antiCovid. Duke folur për krizën me pandeminë në gjithë globin, kryeministri Kurti tha se kjo krizë në Kosovë u thellua edhe më shumë me rrëzimin e padrejtë të Qeverisë vitin e kaluar.

Kryeministri theksoi se aktualisht në Kosovë po ndodhin mesatarisht 10 vdekje në ditë, ndërsa asnjë pacient me koronavirusin nuk po e mbijeton daljen nga respiratori.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke i falënderuar për kontributin rreth kontingjentit të parë të vaksinës,  tha se shpreson në bashkëpunimin e mëtejmë të agjencive të KB-së në tejkalimin e krizës me virusin.

Përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara të pranishëm në takim uruan kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia për fitoren në zgjedhje dhe formimin e Qeverisë. Koordinatorja për zhvillim e KB-ve, Ulrika Richardson, tha se kabineti i ri qeveritar mund të llogarisë në ndihmën dhe mbështetjen e agjencive, por tha se pret bashkëpunim dhe koordinim me Qeverinë.

Edhe përfaqësuesit e tjerë e njoftuan kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia për punën që kanë bërë dhe po e bëjnë në Kosovë, duke ofruar përkrahjen e mëtejshme.

Kryeministri Kurti u premtoi përkrahjen e tij dhe të kabinetit, sepse siç tha ai, duam të bashkëpunojmë me të gjithë për të mirën e Kosovës.

Përveç koordinatores për zhvillim të KB-ve, Ulrika Richardson në takim ishin të pranishëm edhe Maria Suokko, (UNDP), Anna Rostocka (IOM) Omar Siddique (UN HABITAT), Brendan Keirnan (UNOPS), Murat Sahin (UNICEF), Visare Mujko-Nimani (UNFPA), Vlora Nushi (UNWOMEN), Naser Krasniqi (FAO) Sery Koryak (WHO), Lorik Pustina (UNDCO) Blerim Azizi (UNV), Rositsa Zaharieva (UNODC), Blerim Murtezi (ILO) Shpend Qamili (UNDCO).