23:19 / E Shtunë, 28 Janar 2023 / MSH

Kurti pret në takim përfaqësuesit e partisë shqiptare nga Mali i Zi, diskutojnë për rritjen e bashkëpunimeve

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se në zyret e tyre, kryeministri Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësuesit e partisë shqiptare nga Mali i Zi, ku i ka njoftuar me situatën politike dhe ekonomike në vend.

Kurti, gjatë takimit ka biseduar edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Malin e Zi, dhe ndërtimin e rrugëve Pejë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë, çka sipas tij, do ta lehtësonte qarkullimin e qytetarëve, njofton Klankosova.tv.

“Në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Kryeministri, njëherit Kryetari i LV-së, Albin Kurti së bashku me Nënkryetaren e Dytë, Mrika Limani Myrtaj, Sekretarin Organizativ, Alim Rama dhe Sekretarin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Hajrulla Çeku pritën në takim deputetin dhe Kryetarin e Partisë Forca e Re Demokratike Genc Nimanbegu, i cili ishte i shoqëruar nga Ardian Mavriqi, Sekretar i Pergjithshëm – aktualisht Kryetar i Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe Nënkryetarët e Partisë: Ilir Çapuni dhe Arbin Çapriqi”, thuhet në njoftim.

“Përgjatë takimit Kryeministri Kurti njoftoi përfaqësuesit e partisë shqiptare nga Mali i Zi për situatën politike dhe ekonomike në vend. Në kuadër të diskutimit u theksuan edhe marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me Malin e Zi me ç’rast u përmend edhe ndërtimi i rrugëve Pejë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë çka do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe forcojë lidhjen ekonomike dhe tregtare”.

“Në anën tjetër, përfaqësuesit nga Mali i Zi njoftuan me situatën politike atje me theks të veçantë ndërhyrjen e Kishës Ortodokse Serbe në jetën politike e institucionale çka ka tensionuar edhe më shumë raportet etnike dhe ndërhyrjet e Serbisë në shtetin e Malit të Zi”.

“Në fund pjesë e diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në mes të të dy vendeve”.