75 Mall Live Search
13:05 / E Premte, 22 Prill 2022 / A. M.

Kurti pret në takim presidentin e Letonisë

Kryeministri i Republikës, Albin Kurti ka pritur në takim presidentin letonez, Egils Levits.

Ky i fundit më herët është pritur në takim nga presidentja, Vjosa Osmani dhe kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca.

Levits, ka thënë se shteti i tij e mbështetë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, shkruan Indeksonline

“Është e rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkomnëtare e forume, po e përmendi këtu Këshillin e Evropës. Ne do ta mirëprisnim aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kosova i përket familjes së Këshillit të Evropës. Sa i përket BE-së, Letonia është duke e mbështetur Kosovën në liberalizimin e vizave. Tani nuk ka pengesa të arsyeshme që Kosovës të mos i jepet liberalizimi. E çmojmë shumë se si Kosova e arriti luftimin e korrupsionit duke u bazuar në masa të ndryshme të sundimit të ligjit”, tha ai, në një konferencë për media.

Tutje, Levits u shpreh se e ka vërejtur se ka probleme në dialogun Kosovë-Serbi, por tha se shpreson se do të ketë përparime.

“Po e vërej që ekzistojnë disa probleme sa i përket dialogut me Serbinë, shpresoj që këto bisedime do të përparojnë. Nëse nuk ka progres të madh, kjo nuk duhet të jetë pengesë për Kosovën në drejtime dhe raporte të tjera.  Kosova i përket Evropës”, u shpreh ai. /Indeksonline/