75 Mall Live Search
16:41 / E Shtunë, 09 Gusht 2025 / MSH

Kurti prezanton tre kandidatët për komunat e veriut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar kandidatët për kryetarë të tri komunave veriore, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Kurti ka prezantuar kandidaturën e Lulzim Hetemit për Komunën e Leposaviqit, aty ku Hetemi synon një mandat të dytë, pas këtij aktualit.

Në Zubin-Potok, nga radhët e LVV-së do të kandidojë Vedat Mehmeti, ndërkaq në Zveçan Fetah Peci.

“Këta kandidatë janë garancia se në veri do të vazhdojmë të ndërtojmë institucione funksionale, të sjellim investime që prekin jetën e përditshme të qytetarëve dhe të garantojmë qeverisje që respekton ligjin dhe punon për të gjithë” thuhet në njoftimin e LVV-së.

Ky është njoftimi i plotë:

Në veri të Kosovës, bashkë për të ardhmen – bashkë për fitoren!

Sot, prezantuam kandidatët për kryetarë të tri komunave veriore, të vendosur, të ndershëm dhe të palodhur, që përfaqësojnë vizionin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zhvillim, drejtësi dhe barazi për çdo qytetar:

Leposaviq – Lulzim Hetemi, kryetari që ka ecur çdo ditë në terren, mes njerëzve, duke dëshmuar se guximi nuk është vetëm fjalë, por veprim. Me integritetin dhe vendosmërinë e tij, ai ka treguar se Leposaviqi mund të udhëhiqet me dinjitet dhe me besnikëri ndaj ligjit e qytetarëve.

Zubin Potok – Vedat Mehmeti, kryesuesi i kuvendit komunal në komunë, i cili bart vizionin për ta kthyer komunën në një hapësirë ku drejtësia dhe bashkëpunimi me qeverinë janë mjete për zhvillim të përbashkët, jo slogane.

Zveçan – Fetah Peci, zëri i qartë i bashkimit dhe zhvillimit, që e njeh mirë Zveçanin. Ai vjen me përvojën e një njeriu që nuk rri mënjanë, por punon për ta thyer izolimin dhe për t’i hapur rrugë mundësive të reja për secilin banor.

Në këtë takim, në prani të Kryeministrit dhe Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, Sekretarit të Përgjithshëm Alim Rama, Koordinatorit të Qendrave dhe deputetit Salih Zyba, Deputetët Armend Muja, Agim Bahtiri e Arjeta Fejza, riafirmuam mbështetjen e plotë dhe të parezervë për secilin prej tyre.

Këta kandidatë janë garancia se në veri do të vazhdojmë të ndërtojmë institucione funksionale, të sjellim investime që prekin jetën e përditshme të qytetarëve dhe të garantojmë qeverisje që respekton ligjin dhe punon për të gjithë.

Më 12 tetor, e ardhmja e veriut do të shkruhet me punë, me vizion dhe me fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Bashkë përpara – për komunat tona, për qytetarët tanë, për të ardhmen tonë!