22:45 / E Premte, 20 Maj 2022 / MSH

Kurti pritet nga American Councils, diskutohet për programet për studentët

Në përfundim të qëndrimit të tij në Washington D.C., Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u prit nga American Councils, ku u takua me drejtuesit e tij dhe mysafirë të tjerë të ftuar.

American Councils funksionon edhe në Republikën e Kosovës dhe është organizata zbatuese e disa programeve të studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbështetura nga Qeveria e ShBA-së.

Ndër to është programi KAEF, i cili i dedikohet zhvillimit afatgjatë ekonomik të vendit nëpërmjet edukimit të të rinjve nga Kosova në universitetet më të përzgjedhura në ShBA.

Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për rolin e American Councils në ngritjen e kapaciteteve intelektuale dhe profesionale si dhe përvojave kulturore të vendit nëpërmjet programeve të ndryshme nga të cilat kanë përfituar qindra studentë të Republikës së Kosovës.

Ai tha se programe të tilla, ku studentët shkollohen në universitete amerikane, për t’u kthyer pastaj për të dhënë kontributin e tyre në vend, janë tejet të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Në këtë mënyrë, përpos dijes dhe aftësive të përfituara, ndërtojmë edhe më shumë ura lidhëse ndërmjet vendeve dhe popujve.