75 Mall Live Search
12:38 / E Mërkurë, 31 Mars 2021 / OSH

Kurti priti në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, folën për bashkëpunim në mes dy vendeve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck.

Ambasadorja Hernmarck e uroi kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhje dhe po ashtu i uroi suksese në punën e tij.

Hernmarcku ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Suedisë që bashkëpunimi midis dy vendeve dhe dy qeverive të vazhdojë me intensitet të shtuar drejt avancimit të mëtejmë të tyre.

Gjatë takimit, ambasadorja Hernmarck e njohu kryeministrin Kurti lidhur me projektet dhe programet që shteti i saj mbështetë në Kosovë, e të cilat fokus kanë integrimin ekonomik me BE-në, fuqizimin e demokracisë, respektimin e të drejtave të njeriut, dhe çështjet ambientale.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadoren Hernmarck për urimin e saj, bashkëpunimin e deritashëm dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë.

Ai tha se Suedia është sa partner, ashtu edhe model për Republikën e Kosovës në synimet e saj për zhvillim ekonomik, barazi sociale dhe mbrojtje të ambientit.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti e njoftoi ambasadoren e Suedisë rreth fillimit dhe mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit dhe për angazhimin e pareshtur të Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e dozave të tjera të vaksinave kundër Covidit-19.

“Deri atëherë e edhe pas, është shumë e rëndësishme që të gjithë t’u përmbahemi me përpikëri masave preventive për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të virusit Corona”, përfundoi kryeministri Kurti.