75 Mall Live Search
21:44 / E Hënë, 20 Qershor 2022 / LB

Kurti: Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe njëhërë për mbledhjen e sotme të përbashkët me qeverinë e Shqipërisë. Kurti, në Facebook ka shkruar se projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme.

Kjo hekurudhë, sipas tij, do t’i bashkoj ekonomitë e dy vendeve dhe do të rrisë lëvizshmërinë ndërmjet dy republikave.

“Me këtë qëllim, në mbledhjen e sotme nënshkruam marrëveshje ndërqeveritare për arsim, drejtësi, mbrojtje, shëndetësi, energji, bujqësi, dogana, sigurime shoqërore, turizëm, rini, gjendje civile, lëvizje të lirë, transport e infrastrukturë rrugore”, ka shkruar ndër të tjera Kurti, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë i Kurtit:

Mbledhjen e tetë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë e mbajtëm në Prishtinë.

Aq sa na bashkon historia, gjuha e kombi, aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në çdo fushë. Bashkëpunim ky që lehtëson dhe përmirëson jetën e qytetarëve tanë dhe që rritë besimin social ndërmjet qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Me këtë qëllim, në mbledhjen e sotme nënshkruam marrëveshje ndërqeveritare për arsim, drejtësi, mbrojtje, shëndetësi, energji, bujqësi, dogana, sigurime shoqërore, turizëm, rini, gjendje civile, lëvizje të lirë, transport e infrastrukturë rrugore.

Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme. Kjo hekurudhë do t’i bashkojë edhe më fortë ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona.

Teksa qëndrojmë të përbashkuar, me marrëveshjet bilaterale që nënshkruajmë, ruajmë e avancojmë marrëdhëniet tona të afërta.