16:12 / E Shtunë, 29 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kurti: Republika është në rrezik, protesta e sotme është përgjigje ndaj Thaçit e Vuçiqit

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka mbajtur një fjalim të gjatë para protestuesve që janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, në kryeqytet.

Kurti falënderoi të gjithë që janë mbledhur në protestën e sotme të cilën e quajti paqësore, raporton Indeksonline.

Më poshtë pjesë nga fjalimi i Kurtit:

Ne jemi të zemëruar si rrallë herë më parë, por jemi të bashkuar si rrallë herë më parë. Pavarësia është dashur të jetë liri për qytetarët, e jo për qeveritarët.

Qeveria po na rritet, e shteti po na zvogëlohet, prandaj populli duhet të ngritët e për këtë jemi sot këtu bashkë.

Kosova është shtet i kapur, çlirimi nga okupatori na u zëvendësua nga okupatori jonë që po bashkëpunon ngushtë me okupatorin e huaj.

Në Kosovë ligj ka por drejtësi nuk ka, shkolla ka por arsim nuk ka, spitale ka por shëndet nuk ka.

Republika është në rrezik, prandaj ne qytetarët jemi në shesh për republikën, sepse ata nuk duhet të jenë atje në pushtet. Me hajna nuk ka shtet.

Shumica e popullsisë janë ose të varfër, ose të papunë, apo edhe të dyja këto. E kur je i  varfër sëmuresh kollaj, pastaj varfërohesh shpejt sepse barnat janë të shtrenjta.

Gjithnjë e më vështirë po mbyllet muaji. Kuleta është sikur qepa, kur e hap fillon të qash.

Sikur skamja e korrupsioni të mos mjaftonin, na u shfaq presidenti për kompromis.  Jo kompromis i dhimbshme për Serbinë, por për Kosovën. Nuk ka edhe korrigjim edhe dhimbje, por duket se presidenti po mundohet t’i mbaj dy kungull ndër sqetulla.

Kjo nuk është protestë e inatit apo urrejtjes ndaj dikujt, por e shqetësimit qytetar dhe brengës sonë. Aq shumë e duam Kosovën republike e lindore, prandaj për asnjë rrethanë nuk i nënshtrohemi asnjë njeriu.

Kjo protestë nuk është as për elektorat as për vota, në zgjedhje është pushteti ë pyetje, por sot e kemi shtetin në pikëpyetje,

As Kosova nuk ndahet, as Kosova lindore nuk ndahet. Serbisë borxh nuk i kemi, kompromise e dhimbje të reja nuk pranojmë.

Kjo protestë paqësore e madhështore është përgjigje ndaj Thaçit e Vuçiqit dhe pazarit në kurriz të fëmijëve tonë.

Ujmani na nevojitet për të ujitur tokat e arat tona, për dritën që e marrin nga Kosova A dhe B, e Trepça na nevojitet për zhvillimin tonë ekonomik, sepse një vend pune i minatorit nën tokë, i hap katër vende të reja pune mbi tokë.

Nuk mund të bëj zgjidhje ideale një president pa ideale, e as marrëveshje historike një president që e ka shpërfillur historinë.

Ai pat premtuar ushtri për Kosovën, krijimin e 200 mijë vendeve të reja të punës, anëtarësimin në INTERPOL dhe NATO, njohje nga Serbia, padi ndaj Serbisë, liberalizim të vizave, 1 miliard e gjysmë euro investime në Kosovë etj, krijimin e komunave të reja etj, Thaçit nuk i beson askush e madje as Thaçi vet si beson vetes.

Sot jemi 1 mijë herë më shumë se atë ditë kur u zgjodh Thaçi president me 71 vota. Sot më shumë se dy vite e gjysmë më vonë, ky president as 7 vota nuk i ka më.

Aventura Thaçi duhet të ngelet si është, personale dhe  vetëm personale e tij. Ai nuk ka as mandat e parime për bisedime, e as platformë e ekip për negociata. Ai është person i nënshtruar, por ne nuk i nënshtrohemi atij.

Atë po e mban vetëm kryeministri, i cili është me një këmbë sikurse presidenti. Plagët janë të hapura, por sytë e presidentit janë të mbyllur.

Kosova e Shqipëria duhet të bashkohen, e jo të kenë vetëm mbledhje shterpë. Populli ynë është i mirë e bujar, nuk e meriton një president të keq.

Kemi nevojë për zgjedhje të reja, të parakohshme sepse jemi vonë e ndërkohë duhet të mësohemi se aktivitetet si tubimet e protestat paqësore janë mënyra të qytetarëve. Duhet të brengosemi kur nuk ka protesta, e jo kur ka protesta. Faleminderit për këtë protestë me flamuj jopartiak